Vuçiq e thotë haptas se është për kufij në vija etnike


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar publikisht se është për shkëmbime territoresh duke e përdorur formulimin tashmë të popullarizuar në politikën e Serbisë “razgranicenje sa albancima” që pak a shumë i bie rirregullim i kufirit ose korrigjim i kufirit në vija etnike e që për pasojë do të kishte ndarjen e Kosovës.

“Unë angazhohem për këtë dhe nuk e fsheh këtë dhe kjo është politika që e përfaqësoj, se a do ta ketë ajo mbështetjen e popullit apo jo… por unë angazhohem për ricaktim të kufiti me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq.

Deri më tani Vuçiq ka pasur kujdes që të mos merret me këtë temë. Publikisht atë e ka artikuluar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Pak ditë më parë Vuçiq reagoi ashpër ndaj Peshkopit Teodosije kur ky i fundit kundërshtoi ashpër opsionin e ndarjes së Kosovës. Vuçiq i kishte thënë Peshkopit se pasi nuk e doni ricaktimin e kufirit brenda 40 vitesh serbëve do t’u duhet ta mbrojnë Vranjën.

Ndërsa, për këtë temë në Kosovë po angazhohet presidenti Hashim Thaçi. Ai vazhdimisht po e thekson se është për korrigjim kufijsh duke thënë se në shtator në Bruksel do ta prezantojë kërkesën që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Ndërsa, në Luginën e Preshevës janë shtuar zërat kundërshtues të cilët thonë se nuk do të lejojnë që Lugina të copëtohet.