Vuçiç sulmon ashpër BE-në: Nëse kërkoni njohje reciproke me Kosovën, mos ejani në takim! Unë s’jam De Gol…


Aleksandar Vuçiç ka shkuar për të promovuar dronët e rinj që ushtrisë serbë i kanë arritur nga Kina. Por, ka shfrytëzuar rastin të çojë disa mesazhe për fqinjët nga Kroacia e deri në Shqipëri.

Vuçiç, i pyetur për unionin doganor dhe rrjetin energjetik dhe nëse kjo ka të bëjë me një lloj Shqipërie të madhe ka thënë se ka porosi që nëse Kosova dëshiron të negociojë për njohjen, më mirë mos të vijnë në takim.

“Meqë pas 10 ditësh pres vizita të rëndësishme dhe bisedime me liderët më të lartë të Evropës, jam ngopur duke dëgjuar marrëzitë e tyre të ndryshme pasi thonë që ne vijmë të bisedojmë për njohjen reciproke.

Mos ejani pasi unë nuk vij të flasim për këtë. U them edhe nënave dhe baballarëve të tyre politikë dhe këtyre fatkeqëve poshtë që s’dinë ç’të thonë”.

Vuçiç ka çuar edhe kritika në adresë të disa shteteve të huaja, por pa saktësuar për kë e ka fjalën.

“Standardet janë gjithmonë të ndryshme dhe jo vetëm të dyfishta, por të shumëfishta dhe jam i lodhur me këto. Ata mendojnë se unë dua lavdërime nga ca media idiote që thonë se unë jam De Gol dhe i mençur dhe që s’jam diktator i madh që do thonë më vonë nëse nuk jam i dëgjueshëm. Mua më intereson vetëm populli im”.

Shtypi serb ka raportuar gjerë për vizitën në Tiranë të kryeministrit të Kosovës, Avdulla Hoti, me theks të veçantë takimin e ri në Uashington dhe deklaratën për njohje reciproke.