Vuçiç për policët e rrëmbyer: Deklaratat e tyre janë kontradiktore, njëri pre tyre tha se po mblidhte kërpudha


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur për tre policët e Kosovës që janë rrëmbyer të mërkurën brenda territorit të Kosovës, derisa ka shtuar se atyre “asgjë e keqe s’u ka ndodhur dhe s’i ka prekur askush”.

Por, ai ka shtuar se deklaratat e policëve “janë kontradiktore”, duke shtuar se njëri nga policët ka deklaruar se “kishte shkuar të mblidhte kërpudha”.

“Asgjë s’u mungon, nuk kanë asnjë të mavijosur, asnjëri s’i ka prekur. Deklaratat e tyre janë kontradiktore. Njëri thotë nuk kemi ecur, i dyti thotë se kemi ecur pak, e më pas jemi ngjitur edhe pak e jemi larguar nga vetura. Pra, çfarë ishte duke bërë, unë isha duke mbledhur kërpudha”, tha Vuçiç para gazetarëve.

Kreu i shtetit serb thotë se rreth rastit në fjalë i ka dërguar një letër EULEX-it.

“Autoritetet e Serbisë asnjëherë nuk e kanë kaluar vijën administrative”, shtoi ai dhe theksoi se për këtë janë informuar të gjithë, “dhe se këtë e di edhe komandanti i KFOR-it”.

Vuçiç: Dialogu me Kurtin inekzistent, do luftë me çdo çmim, e ka mbështetjen e disa vendeve perëndimore

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një konference për media ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ai ka theksuar se një takim i tillë nuk ka kurrfarë kuptimi, porse do të vendos ditëve në vijim nëse do të paraqitet apo jo.

“Është e pakuptimtë, çdo dialog krize që kemi pasur, thonë Vuçiçi ka bërë diçka lëshim. Nuk ka asnjë kuptim. A do të vendosi teknikisht të shkojë atje, ky është vendim i yni. Dialogu me Kurtin është inekzistent”, tha Vuçiç.

Sipas tij, Kurti “do luftë” me çdo çmim.

“Mendon se si dhe në çfarë mënyre do të bëjë provokim. Dhe ai e ka përkrahjen, gënjejnë kur thonë se ka. Mjaft me këtë. Ledhatoni foshnjën tuaj, bëni çfarë të doni me të, më pas më lajmëroni kur e kryeni punën tuaj”, shtoi ai.

Përkundër kësaj, siç theksoi ai, Serbia ka shumë vite që përpiqet të ruajë paqen, stabilitetin dhe përparimin ekonomik.

“Megjithatë, sado që jemi përpjekur të jemi një partner serioz dhe i përgjegjshëm i fuqive evropiane, ata nuk na kanë parë kështu”, tha ai dhe shtoi se “pavarësisht se çfarë kemi bërë, ne kemi qenë gjithmonë fajtor”.

Ai po ashtu ka folur për pretendimet e palës serbe se kinse policia e Kosovës i ka rrahur dy serbë në Zveçan të shtunën, derisa pati kritiika ndaj Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë të cilët i quajti “gënjeshtarë”.

“EULEX na thotë ‘po e vëzhgojmë nga afër’. Ju gënjeshtarë, e vetmja gjë që ju doni të ‘vëzhgoni nga afër’ është dëbimi i serbëve”, ka thënë ai.

“Kurti ka krijuar një situatë kriminale ku keqtrajton të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb. Mendoja se po e bënte vetëm, por tani e di që e ka mbështetjen e disa vendeve perëndimore”, shtoi ai.