Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot deklaroi se nuk frikësohet nga sanksionet e Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të Quintit në Washington, porse kjo nuk mund të jetë ndonjë befasi pasi të gjitha vendet e Quintit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nuk do të ketë sanksione, kjo është gjithçka mund t’ju them. Nuk kam parë asnjë dokument të Washingtonit. Kam dëgjuar për atë çfarë disa ofrojnë si parime të tyre. Diçka më është kumtuar në mënyrë gjysmëzyrtare”, u tha Vuçiç gazetarëve në Beograd.
Vuçiç tha se Serbia është vet përgjegjëse për situatën momentale dhe rrethanat e këqija në të cilat zgjidhet çështja e Kosovës, duke pasur parasysh disa hapa me të cilat ajo vetë “vuri vulën në zarfin e pavarësisë së Kosovës”.
“Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme për të cilat pjesërisht përgjegjës jemi ne, veçmas për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, falë politikave të krisura dhe të papërgjegjshme të disa individëve. E tani luftojmë që nga gremina ta nxjerrim vendin dhe të arrijmë sa më shumë për shtetin dhe qytetarët tanë. Do ta vazhdojmë këtë betejë”, tha Vuçiç.
Vuçiç më pas deklaroi se serbët dhe kroatët janë popuj të vegjël dhe se vetëm të bashkuar mund të mbijetojnë, ndonëse për shumë kroatë kjo është e vështirë ta dëgjojnë, ndërsa për disa serbë akoma më shumë.