Vuçiç: Jam për kufijtë ekzistues, Kosova të jetë brenda Serbisë!

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se nuk e ka parë dokumentin “non-paper” që thuhet se i është dorëzuar në Bruksel presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, nga kryeminsitri slloven Janez Jansha, ku parashikohet që Kosova t`i bashkohet Shqipërisë dhe Republika Srpska, Serbisë.

Vuçiç provokoi duke deklaruar se ai preferon kufijtë ekzistues, me Kosovën brenda Serbisë.

“Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, e duhet të respektoj integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ai për median serbe  B92.“Për ne, gjëja më e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti i plotë”, theksoi ai, duke shtuar se kjo përfshin edhe vazhdimin e dialogut me Kosovën.

“Çdo ditë ka  kërcënime për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë nga Tirana dhe Prishtina. Ata e duan Kurtin. Nga Rada Trajkovic, Vuk Jeremic, Dragan Gjilas, të gjithë e duan Kurtin që qëndron për Shqipërinë e Madhe”, ishte komenti i kreut të shtetit serb. Dokumenti jozyrtar që fliste për ndryshim të mundshëm kufijsh në Ballkan shkaktoi reagime të forta. Sllovenia e merr në 1 korrik presidencën e radhës të  Këshillit të BE dhe sic e donte rasti, kryeministri Janša i skicoi paraprakisht në Bruksel prioritetet e vendit të tij, që ne fokus vendosnin Ballkanin.

Dhe idetë e tij nuk mund të konsiderohen thjesht fantazi. Para rreth tre vjetësh, qarkulluan lajme se Vucic e ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaci kishin hedhur idenë e një korrigjimi të kufijve, sic u quajt atëherë e cila ndeshi në kundërshti të mëdha, ndërsa tani, edhe kreu i Republikës Srpska, Milorad Dodik shprehet i gatshëm  për një ndarje paqësore të Bosnje Hercegovinës.