Vuçiç: E njoh mirë Putinin, do të përdorë armë bërthamore

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë se e njeh mirë Vladimir Putinin dhe mund të deklarojë me siguri se, nëse shterohen të gjitha opsionet e tjera, ai nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore.
Duke folur për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, Vuçiç paralajmëroi se kërcënimi nga një konflikt bërthamor nuk ka qenë kurrë më i madh.

“Është dita e njëmijtë e luftës në Ukrainë. Pesë-gjashtë ditë pas shpërthimit të luftës, të cilën rusët e quajnë operacion special ushtarak, Serbia doli me përfundimet e veta dhe unë jam krenar që, pavarësisht të gjitha sfidave dhe presioneve, arritëm të qëndrojmë për një mijë ditë pa ndryshuar qëndrimin tonë. Besoj se kishim politikën më të mirë, më serioze dhe më të përgjegjshme. Është e rëndësishme të flasim për paqe, për armëpushim, sepse çdo gjë tjetër na çon drejt një katastrofe botërore. Kur keni 10 hapa për të arritur një katastrofë, ne tashmë kemi kaluar 9 hapa. Sot, rajoni i Bryanskut ishte në shënjestër të raketave, dhe bombardimi me municione ruse do të vazhdojë. Çdo hap tjetër na çon drejt një konflikti bërthamor,” tha Vuçiç.

Ai deklaroi se asnjëra palë në konflikt nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion.
“Unë i njoh shumë mirë ata, shumë mirë e di çfarë nënkuptojnë mesazhet e tyre. Dhe kur në Perëndim ju thonë se Putini po luan lojëra dhe po kërcënon me këtë, ndërkohë që në fakt ai ka frikë, unë do t’ju them se rrallëkush e njeh presidentin Putin siç e njoh unë. Nuk është as kritikë, as lavdërim, thjesht kështu janë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë. Kush mendon se është kështu, ai kurrë nuk e ka parë presidentin Putin në jetën e tij.

Është si të më thonë mua se Vuçiç do të largohet nga shteti – një budalla do ta besonte këtë. A thua imbecilët nuk më njohin fare? Nuk e kuptojnë që jeta ime është e lidhur me Serbinë, që jam i gatshëm të vdes në çdo moment për Serbinë dhe që kurrë nuk do të largohem nga Serbia sepse jap gjithçka për të,” tha Vuçiç, dhe më pas shtoi:
Kështu thonë për të: “kërcënon me një pistoletë bosh”. Nëse rrezikohet siguria e Moskës dhe forcave të saj, nëse nuk ka dalje tjetër, po ju them paraprakisht, ai nuk do të hezitojë as për një orë – tha ai.