Vuçiç ‘ankohet’ sërish pas deklaratave të Putin që ‘njohu’ Kosovën: Jemi në një pozicion shumë të vështirë!


Presidenti serb Aleksandër Vuçiç vazhdon ta cilësojë të rëndë pozicionin e Serbisë pasi Putin ‘njohu’ pavarësinë e Kosovës me deklaratat që bëri duke e krahasuar rastin e Donetskut dhe Luhanskut me atë të Kosovës.

‘Pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë” dhe i komplikuar se në situatën që ndodhet tani’, ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç në Berlin, pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

“Situata në të cilën ndodhet Serbia, duke marrë parasysh krizën në Ukrainë”, tha Vuçiç, është “pothuajse e pamundur”.

Duke komentuar luftën dhe qëndrimin e Beogradit të gjendur “mes dy zjarreve”, ai e nënvizoi se Serbia është sot në një pozitë mjaft të vështirë, ndërsa presioni ndaj saj është i madh.

“Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne e kemi bërë të ditur pozicionin tonë strategjik. Serbia është në të njëjtin pozicion edhe në ditën e 71-të”-, u shpreh Vuçiç.

Megjithatë, kur u pyet nëse Serbia do të bëjë një kthesë në politikë pikërisht për shkak të trysnisë nën të cilën ndodhet, ai theksoi se “vendi i vet është në rrugën e integrimit evropian dhe nuk devijon prej saj”. Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.