Vrau vajzën e tij dhe e groposi në oborr, gjykata e dënon përjetë! Flet nëna e Angjelinës

Më janar të vitit të shkuar, 52 vjeçari Aleko Petro do të vriste vajzën e tij 29 vjeçare dhe pas krimit makabër do ta groposte të bijën në oborrin e shtëpisë së tij në Korfuz të Greqisë.

Këtë të mërkurë Petro doli para gjykatës, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm.

Pas këtij vendimi, nëna e Angjelinës, Xhezmija, ka folur për dënimin. E intervistuar nga Neës24, Xhezmije Stoçeni tha se askush nuk e ka njoftuar për vendimin e marrë nga gjykata e Thesprotisë në Greqi. Por nëna e viktimës shprehet se asaj nuk i intereson fare nëse Aleko Petro është i gjallë apo i vdekur.

“Nuk më ka informuar askush për dënimin e tij. Ja kam lënë në dorë drejtësisë dhe nuk më intereson në është gjallë apo ka vdekur. Ai masakroi barbarisht vajzën e tij në lulen e rinisë… Nuk më lanë të shkoja të vendi ku u masakrua vajza që ti vija një buqetë me lule,nuk më lanë të takohesha me dhëndrin afgan dhe nuk munda dot të marr asnjë send të vajzës si kujtim”, shprehet Xhezmije Stoçeni.

Nëna e viktimës, akuzon edhe priftin që kreu shërbesën fetare gjatë funeralit, duke thënë se i ka vjedhur certifikatat e vdekjes dhe dokumentet e tjera.

Kujtojmë se Aleko Petro ishte kundër lidhjes së vajzës me një djalë me origjinë afgane. Ai e vrau të bijë dhe e groposi në oborrin e shtëpisë. Policia arriti ta gjente trupin falë qenit të viktimës dhe më pas bëri të mundur arrestimin e Petros.