Nëntë vite më parë, Maksim Hodaj vrau bashkëshorten në sy të tre fëmijëve të mitur, por u arrestua vetëm tre vite më pas kur ishte kthyer nga Greqia për të takuar fëmijët e tij.
Por policia e Vlorës thotë se Hodaj, tashmë 46 vjeç, është arrestuar sërish për të vuajtur dhe pjesën e mbetur të dënimit,atë të 9 viteve e 2 muaj e 26 ditë burg. Ai ishte dënuar me 18 vite burg për vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 4 qershor të 2009-tës në fshatin Armen të Vlorës, ku pas një debati në çift, Hodaj ka dhunuar për vdekje bashkëshorten e tij, asokohe 36 vjeçe. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sy të fëmijëve të çiftit, 13, 12 vjeç dhe më i vogli vetëm 8 muajsh. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprimet e mëtejshme.