Vrau foshnjën e sapolindur, nëna shqiptare dënohet me 1 vit e gjysmë burg


Në Gjykatën e Gjakovës u mbajt shqyrtimi kryesor kundër të akuzuarës Lauresha Maliqi, e cila akuzohet për vrasjen e foshnjës së saj.

Prokurori Agron Matjani bënë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasja e rëndë në veprën penale – vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Gjyqtari Shaqir Zika e shpalli fajtore të akuzuarën, Lauresha Maliqi, dhe e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.

Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton kallxo.com.

Në rastin e sotëm dëshmitarja Gjulije Cufa, nëna e të akuzuarës, tha se nuk ishte në dijeni që vajza e saj ishte shtatzënë.

“Një ditë Lauresha kishte dhimbje shpine dhe kemi shkuar në spital ku pastaj ajo ka lindur. Lauresha ka qenë e martuar në Prishtinë, mirëpo është ndarë prej burrit dhe ka një vajzë 7 vjeçare për të cilën kujdesem unë, edhe pse unë s’di asgjë sepse jam e sëmurë dhe jam në dializë”, tha nëna e të akuzuarës.

Prezent nuk ishte përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, i cili ishte i thirrur në cilësinë e dëshmitarit lidhur me mbikëqyrjen e fëmijës së mitur të të akuzuarës.

Në dëshminë e tij, i thirrur si dëshmitar, eksperti i psikiatrisë forenzike, Arsim Gashi, deklaroi se në kryerjen e veprës penale ka ndikuar edhe faktori që ka qenë një shtatzëni e padëshiruar, një martesë e dështuar më herët me një fëmijë të mitur, mungesa e edukimit dhe mungesa e lidhjes emocionale më fëmijë, e cila lidhje ekziston qysh në momentin kur nëna e kupton që është shtatzënë.

Në pyetjen e prokurorit Matjani se a ka treguar e akuzuara për babanë e foshnjës së mbytur?

Eksperti Arsim Gashi në përgjigjën e tij thotë që e akuzuara ka treguar që ka qenë në një lidhje të shkurtër me një person, të cilin nuk e njeh.

Gashi deklaroi “që e akuzuara ka inteligjencë adekuate, pa konstatimin e ndonjë çrregullimi psikologjik, të përkohshëm ose të përhershëm, andaj kemi vërejtur që Lauresha nuk ka vuajtur nga ndonjë çrregullim i paslindjes”.