“Vrasje në rrethana cilësuese”/ Mbi 25 plumba janë derdhur mbi selinë qendrore të Top Channel

Në orën 12.40 minuta, selia qendrore e Top Channel në Mëzez u qëllua nga persona të armatosur me kallashnikovë.

Një nga rojet mbeti i vdekur në vend, ndërsa nuk ka ende një pistë për këtë ngjarje të rëndë ku sulmohet një media.
Pal Kola, 60 vjeç, punonjësi i Top Medias me detyrë roje sigurie humbi jetën nga sulmi i armatosur i kryer dhe i urdhëruar nga persona ende të paidentifikuar. Kola, baba i tre fëmijëve , i punësuar prej gjashtë muajsh pranë Top Channel gjendej në detyrë ashtu si dhe një pjesë e stafit që angazhohet si turni i tretë dhe të cilëve po ashtu ju rrezikua jeta.

Policia deklaron se vrasësit udhëtuan me shpejtësi me mjetin “Range Rover” në ngjyrë të zezë dhe në ecje e sipër zbrazën një karikator arme Ak – 47. Njëri nga plumbat goditi për vdekje punonjësin Pal Kola, jeta e të cilit fatkeqësisht ishte e pamundur të shpëtohej. Ndërsa plumbat e tjerë të zbrazur ndaj godinës së Top Channel dëmtuan fasadën kryesore dhe rrezikuan jetën e punonjësve që konsiderohen nga hetuesit si dëshmitarë dhe për këtë arsye janë marrë në pyetje. Gjatë kqyrjes së ambientit të jashtëm dhe të brendshëm policia sekuestroi gëzhoja të shumta edhe në brendësi të zyrave.