Vrasja në Kavajë/ “U shokova kur pashë tim bir të goditur në kokë”, dëshmia e babait të viktimës: Menduam se historia u mbyll më 29 mars! I ati i autorit: Nuk e dinim që…

Autori i ekzekutimit të 48-vjeçarit Arjan Gosa në Kavajë vazhdon të jetë në arrati, ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje babanë e të ndjerit, i cili ishte me të birin në momentin e vrasjes në një nga lokalet e zonës.

Babai i 48-vjeçarit ka theksuar se nuk e mendonte se ngjarja e marsit do të vijonte.

“Ne nuk mendonim se ngjarja e marsit do të vazhdonte. Në ngjarjen e parë, vdiqën të dy. Nuk kishte pse të vazhdonte me kjo histori. Neve nuk ruheshim, pasi s’na shkonte ndër mend që familja Rexha do te vazhdonte.”

Me tej ai ka shtuar se e ka parë autorin që ka ardhur në drejtim të djalit të tij, ka ngjitur shkallët dhe e ka qëlluar dhe më pas ka ikur me vrap.

“Djali im Arjani pak dite me parë kishte ardhur nga Italia, pasi jetonte atje. Dolëm te pinim kafe dhe të ndiqnim ndeshjen Napoli-Inter. Ishim ulur të ajo tavolina aty, pasi konsumonim cigare dhe ishim kthyer me shpinë nga rruga dhe po shikonim ndeshjen. Nuk e pamë fare. Vetëm kur plasi arma. Ktheva kokën dhe pash qe Arjani u këput dhe pashë një person qe doli me vrap. U shokova kur pashë tim bir te goditur në kokë. S’kishte asnjë shprese, humbi jetën menjëherë.”

Të njëjtën deklaratë ka dhënë edhe babai i Habib Rexhes, i cili është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të planit të thurur nga djali i tij dhe se nuk kishte vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë për atentatin, pasi kishte vendosur që ngjarjen t’ia linin në dorë drejtësisë. Nga dëshmitë e marra, grupi hetimor nuk ka marrë informacion ndihmues për të gjetur vendin ku fshihet autori.