Vrasja e policit në veri, Konjufca: BE dhe ShBA ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka quajtur sulm terrorist të dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia, sulmin në veri në të cilin mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës dhe një tjetër u plagos.

Konjufca në një reagim ka thënë se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve të shtetit të Kosovës për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.

Ai ka kërkuar faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

“E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.
Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.
Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.
Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë”, shkruan Konjufca.