Vr*asja e biznesmenit, 22-vjeçari pranon autorësinë

22-vjeçari Llej Lika në dëshminë e tij pas arrestimit, ka pranuar autorësinë e vrasjes së 55-vjeçarit Rakip Roli.

Burime nga blutë e Kurbinit bëjnë të ditur se i riu gjatë marrjes në pyetje deklaroi se ndaj 55-vjeçarit ka qëlluar vetëm ai, ndërsa ka mohuar që babai i tij Skënder Lika dhe shoku Klajdi Beleshi të kenë lidhje me ngjarjen.

Gjithsesi ai nuk sqaroi se cili ka qenë roli që kanë luajtur ata, dhe përse gjatë momentit të arrestimit ishin së bashku.

Sa i përket motiveve të kësaj ngjarje ai ka thënë se shkak për këtë është bërë një konflikt më i hershëm mes tij dhe viktimës. Sipas tij viktima e ka rrahur disa kohë më parë, ndaj vrasja është bërë për hakmarrje.

Biznesmeni Rakip Roli u ekzekutua në makinën e tij mëngjesin e së premtes në Sanxhak të Kurbinit.

24 orë pas vrasjes policia arrestoi në Fushë Milot si autorë të dyshuar të vrasjes shtetasin Llej Lika, si dhe babain e një shok të tij.

Forcat e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe një armë kallashnikov, me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi, si dhe u sekuestrua një mjet tip “Benz ” dhe një motorçikletë, me të cilat dyshohet se lëviznin autorët.