Vrasja e 20 vjeçarit në Zvicër, i dyshuari kryesor një kosovar

Kosovari 24-vjeçar është në paraburgim. Katër të dyshuarit tjerë, dy nga të cilët, po ashtu kosovarë, janë liruar përsëri.
Një shtetas zviceran 20-vjeçar pati vdekur nga plagët e marra në një zënke që kishte ndodhur në një fundjavë në mes të shtatorit, në Bahnhofstrasse në St.Gallen.

Tani policia e kantonit St.Gallen ka arritur të identifikojë dhe të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë. Pesë nga shtatë personat në fjalë, janë arrestuar.
Hetimet e shumta, intervistat me të akuzuarit dhe të tjerët, që japin informacion, bashkë me vlerësimet e filmimeve dhe regjistrimeve të fotografive, kanë çuar te shtatë persona të përfshirë në krim, njofton Policia e Kantonit St.Gallen.

Kështu, gjatë dhjetë ditëve të fundit janë arrestuar pesë nga shtatë personat e përfshirë: një kosovar 24-vjeçar, një zviceran 25-vjeçar, një zviceran 26-vjeçar dhe dy kosovarë 29-vjeçarë, njofton Keyston-SDA.
Policia është gjithashtu në dijeni të një 20-vjeçari zviceran dhe një 22-vjeçari gjerman që ishin përfshirë në krim. Kosovari 24-vjeçar është në paraburgim. Të dyshuarit tjerë janë liruar përsëri.

Sipas njoftimit, janë kryer gjithsej pesë bastisje shtëpish. Rrjedha e saktë e krimit dhe përfshirja aktuale në krim do të përcaktohen më vonë, nën drejtimin e prokurorit publik të kantonit të St.Gallenit dhe nga shërbimet e specializuara të policisë kantonale të St.Gallenit.
Sipas njohurive aktuale, megjithatë, në konfrontimin fizik nuk rezulton të jetë përdorur ndonjë armë, përcjell albinfo.ch. Sherri dhe konfrontimi fizik kishin shpërthyer të dielën, më 19 shtator, rreth orës 02:45 të mëngjesit.

Patrullat e policisë kishin gjetur një 20-vjeçar zviceran të plagosur rëndë në Bahnhofstrasse në St. Gallen natën e 19 shtatorit rreth orës 3 të mëngjesit. Një tjetër 20-vjeçar zviceran dhe një 22-vjeçar gjerman ishin të plagosur lehtë.
Tre personat e fundit ishin grindur me autorët e panjohur fillimisht, transmeton albinfo.ch. 20-vjeçari zviceran i plagosur rëndë ka vdekur dhjetë ditë pas marrjes së plagëve.