Vrasësi i Hamide Magashit që vrau veten varroset të dielën në mesditë

Nesër do të varroset Sokol Halili, i cili bëri dje vetëvrasje, dy ditë pasi vrau gruan e tij shtatzënë, Hamide Magashin. Sipas familjarëve, varrimi do të bëhet në orën 12:00, në Lagjen e Pajtimit.

“Të nderuar familjarë dhe dashamirë ju njoftojmë se varrimi i Sokol Halil Halili, bëhet nesër më 04.12.2022, në ora 12:00, në Lagjen e Pajtimit”, thuhet në njoftimin e familjes. Ndryshe, Policia e Kosovës ka lokalizuar dje vendndodhjen e Sokol Halilit i cili kishte qenë në arrati për 42 orë, por s’ka pranuar të dorëzohet dhe ka vrarë veten, në shtëpinë e tij në Shtime. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se kjo ka ndodhur përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, tha Sveçla.