Vonesat e subvencioneve, blegtorët e Pollogut paralajmërojnë protesta

Mos pagesa e subvencioneve për vitin e shkuar për rreth 870 blegtorë të Pollogut, ka revoltuar të njëjtët. Ankohen se nuk i bëjnë dot të mbjellat e pranverës sepse nuk kanë fonde. Ata kërcënojnë me bllokime rrugësh nëse brenda një jave nuk lëshohen subvencionet e parapara.

“Apelojmë deri tek Ministria e bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Rural, deri të premten të na lëshohet pagesa e subvencioneve e nëse nuk bëhet kjo, ne do marrim masa të tjera, do bllokojmë autostradën Gostivar – Tetovë, me gjithë blegtorët e rajonit të Pollogut dhe do e nxjerrim bagëtinë në rrugë. Është vonesë e madhe për pranverën për të mbjellat dhe ne jemi të bllokuar”.

“Jemi mbledhur të gjithë bujqit për të marrë iniciativë për bllokim të autostradës nëse nuk ka lëshime. Qengjat janë bërë për shitje, për t’i shitur nuk ka as çmim asgjë, për t’i ruajtur nuk kemi mundësi, e as kërkesa nuk ka sa duhet”. Blegtorët ankohen se ju mbeten pa shitur edhe qengjat. Çmimi që e ofrojnë mbledhësit e qengjave, nuk mbulon as shpenzimet bazë për rritjen e tyre.

“Apelojmë të Ministria e Bujqësisë që të merr masa për çmimin e qengjave. Të jetë çmim i kapshëm që t`i mbërrijmë shpenzimet”. “Nuk kemi mundësi tjetër. Çmim qengji nuk ka, interesim për mbledhjen e qengjave nuk ka, kemi mbet në mëshirë të fatit”. Ministria e Bujqësisë vonesat i arsyeton me pandeminë dhe premton se subvencionet do t’i lëshojë së shpejti.

Na ka ngel një pjesë shumë e vogël prej vitit të kaluar por edhe kjo pjesë do paguhet. Në si institucion në marrëveshje me ministrin e Bujqësisë ku do kemi edhe një takim me zotin Arianit Hoxha dhe do e shprehim këtë shqetësim dhe besoj do e gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe do bëjmë rritjen e çmimit”-tha Remzi Ismaili, sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë.

Në Pollog janë të regjistruar 870 blegtorë që merren me dhen, ndërsa subvencione lëshohen për rreth 20.000 qengja. Blegtorët në vend, për kokë qengji marrin 1100 denarë nëse kanë deri në 500, ndërsa për ata që kanë më shumë se 500, ndihma është 1000 denarë.Bashkim Sulejmani