Maqedonia e Veriut po ngecë në sigurimin e vaksinave anticovid, por gjendja është e njëjtë edhe në vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, mbrëmë në emisionin Click plus. Njeriu i dytë i Qeverisë, vlerëson se për të siguruar më shpejtë vaksinën është dashur të zgjerohet ekipi qeveritar dhe të gjenden edhe mënyra tjera.
“Ndoshta edhe me një qasje rajonale të bëjmë porosinë e vaksinave duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë, Bosnjën dhe Maqedoninë si vende të Ballkanit, si një treg shumë më i madh dhe shumë më interesant edhe për Fajzerin dhe edhe për prodhuesit e tjerë, në qoftë se do të kishim bërë një blerje të përbashkët”, tha Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.
Ai theksoi se ministri i Shëndetësisë dhe Qeveria po bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar sa më shpejtë vaksinën anticovid, ndërsa shtoi se edhe atij gati cdo ditë i lajmërohen kompani të cilat i garantojnë se mund të na sigurojnë vaksinën shumë shpejtë.
“Nuk ka ditë të vetme ku ndonjë person nuk më paraqitet për vaksina. Jo më larg se para se të hyjë në këtë studio me janë paraqitur për 5 milion vaksina nga Gjermani”, shtoi Grubi.
Grubi foli edhe për porosinë e vaksinave që Maqedonia e Veriut e ka bërë përmes kompanive fantome kineze.
“Vërtet ka bërë përpjekje të sinqerta për t’i siguruar ato dhe ndoshta në këto përpjekje mund të bëhet edhe gabim për arsye se vërtet po përpiqemi në mënyrë mbinjerëzore për të siguruar vaksina”, shtoi më tej Grubi.
Grubi tha se sipas premtimeve të strukturave të Bashkimit Evropian nëpërmjet sistemit Kovaks, 800 mijë vaksina duhet të vijnë në fillim të prillit. 200 mijë vaksinat kineze duhet të vijnë brenda 10 ditëve të ardhshme, e në procedurë e sipër janë edhe vaksinat ruse, ndërsa me Fajzerin ende janë në bisedime.