Von Cramon për hartën e Lajçakut: Unë nuk do ta përdorja një të tillë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon ka komentuar hartën në zyrën e Emisarit Lajcak ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë. Von Cramon në një replikë në rrjetin social Twitter ka thënë se nuk do ta përdorte një hartë të tillë.

“Jo e dobishme nuk do ta përdorja një hartë të tillë. Por kjo natyrisht nuk është zyra ime”, ka thënë Cramon. Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Prapavija nga ku e jep këtë intervistë nuk dihet nëse është zyra e tij, apo ndonjë ambient në Bruksel, megjithatë krahas flamurit të BE’së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një replikë në rrjetin social Tëitter ka thënë se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Miroslav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë. Stano ka thënë se harta zyrtare e BE’së është në linjë me pozicionin neutral të BE’së për Kosovën.

“Pretendimi për hartën është tërësisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është – në vijë me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – neutrale ndaj statusit. Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano