VMRO: Kompromisi për gjuhën, tradhëti kombëtare

Opozita kundërshton faktin që mbetet e përjashtuar nga negociatat me Bullgarinë. Sipas VMRO-DPMNE-së, nëse janë të vërteta raportimet e mediave bullgare të cilat shkruajnë se Zaev ka propozuar zgjidhje për gjuhën, kjo do të nënkuptonte tradhti kombëtare.

“E para kjo nënkupton se Zaev, në kundërshtim me zotimet e tij se nuk negociohet për veçantinë e gjuhës maqedonase, e ka gënjyer opinionin. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejt konfirmon se negociohet për gjuhën maqedonase që është pjesë e identitetit tonë. Zaevi me këtë e pranon tezën e qarqeve kundërshtuese në Sofje se maqedonishtja dhe bullgarishtja janë e njëjta gjuhë, që përsëri është rrezikim i drejtpërdrejtë i identitetit tonë”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Partia e Mickoskit thotë se nuk do ta njohë dhe do të heqë dorë nga një marrëveshje e tillë kur të vijë në pushtet. Ndërkohë Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkon të ketë fillimisht një konsensus politik për negociatat me Bullgarinë.

“Jemi skeptik rreth asaj se a do të mund të gjendet zgjidhje, duke marrë parasysh se në Bullgari kemi Qeveri teknike. Lidhur me atë nëse jemi konsultuar ose jemi informuar, mund të them se kjo Qeveri është paraqitur jashtëzakonisht e papërgjegjshme, në kuptimin e asaj se flasim për një vendim i cili duhet të jetë transparent dhe duhet të jetë inkluziv, duke marrë parasysh se flet për fatin e qytetarëve në plan të brendshëm dhe plan të jashtëm, mendoj se duhej të ketë një konsensus politik që të ketë një legjitimitet”, deklaroi Bujare Abazi, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

LSDM-ja thotë se nuk do të negociohet për asgjë tjetër, por vetëm mbi bazën e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017.
“Edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe Republika e Bullgarisë janë plotësisht të përkushtuara për khtimin e besimit tek proceset dhe atë që LSDM-ja dhe Qeveria e drejtuar nga LSDM-ja bën gjithë kohën, është angazhimi për dialog. Maqedonia me Bullgarinë ka nënshkruar marrëveshje për fqinjësi të mirë dhe në bazë të përmbajtjes së asaj marrëveshje zhvillohen edhe negociatat dhe gjetja e zgjidhjes për këtë çështje”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Presidenti bullgar Rumen Radev pas takimit të një dite më parë me kryeministrin Zoran Zaev kishte kritikuar marrëveshjen e vitit 2017 të firmosur nga pushteti i kaluar i Borisovit duke thënë se ajo nuk ka kushte dhe afate të detyrueshme dhe mundëson vendime dhe aktivitete variabile.