Për dy ditë radhazi, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov nuk arrin të mbajë ekspozenë e tij para anëtarëve të komisionit parlamentar për politikë të jashtme. Edhe sot e gjithë koha u shpenzua me përplasje mes pushtetit dhe opozitës lidhur me dokumentet e klasifikuara si sekret shtetëror të përmendura për herë të parë nga deputeti Antonio Milloshovski. Seanca u ndërpre pasi një grup deputetësh nga opozita maqedonase i nisi një letër kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, në të cilën i kërkojnë atij që shënimet zyrtare nga takimi i kreut shtetëror të mbajtur në janar të publikohen në komisionin për politikë të jashtme. Por, nga kabineti i Xhaferit u përgjigjën përmes një njoftimi me shkrim ku thanë se dokumentet e klasifikuara, të marra prej cilitdo organ, nuk mund t’i posedojnë personat pa certifikatë të sigurisë, të shqyrtohen në mbledhje publike dhe para personave të cilët nuk kanë certifikatë të tillë.
Talat Xhaferi, kryetar Kuvendi
“Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme më tepër se 1 vit nuk ka certifikatë të sigurisë, edhe pse nga shërbimet profesionale në Kuvend i është sugjeruar se i ka skaduar vlefshmëria e certifikatës paraprake. Sipas kësaj, deputeti dhe kryetari i Komisionit, në pajtim me Ligjin për informata të klasifikuara, i cili është pa certifikatën e domosdoshme të sigurisë, nuk ka mundur të kërkojë, të posedojë dhe të nxjerrë publikisht dokumente të cilat e kanë pasur shenjën “tepër konfidenciale”. Antonijo Milloshoski, Kabinetit të Presidentit të RM-së i ka dorëzuar kërkesë për marrjen e materialeve nga takimet e liderëve të mbajtura në janar dhe në maj të këtij viti, dhe në formë të palejuar dhe të tërthortë, personalisht, jo përmes arkivit, i merr materialet nga Kabineti i Presidentit Ivanov, diçka që nuk është sipas ligjit.”
Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov edhe sot përsëriti se publikimi i shënimeve zyrtare nga fazat e hershme të bisedimeve për emrin dëmtojnë procesin, ndërsa mënyra se si këto shënime janë sjellë në Kuvend është antiligjore. Dimitrov poashtu ngriti dilema edhe për mënyrën e shënimeve zyrtare pasi ai tha se nuk ka qenë në dijeni nëse dikush ka mbajtur shënime të tilla në takim.
Nikolla Dimitrov, ministër i jashtëm
“Fatkeqsisht mendoj se duhet më sinqerisht të bisedojmë mes vete. Unë jam i gatshëm të raportoj para institucionit, para qytetarëve, para opinionit. Megjithatë format e këtilla janë si sëmundja të vije dhe ta pyes deri ku është procesi shërimit. Do të jem shumë I sinqertë dhe mezi pres të vij ekspozita ime sepse është koha që ti themi fjalët e vërteta. Këtë sabotim unë jam duke e përjetuar para si gjithash si qytetar, pastaj si ministër hap anti shtetëror”.
Kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së tha se duhet të ndiqet rasti i shqyrtimit të marrëveshjes me Bullgarinë e cila fillimisht ishte klasifikuar si sekret shtetëror, andaj dhe ishte shqyrtuar nga anëtarët e komisionit që posedojnë certifikat sigurie dhe me dyer të mbyllura.
Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE
“Pra, kjo është shndërruar në praktikë. Kjo është një e drejtë me rregullore e deputetëve që të ketë mundësi të shikoj materialet hedh dritë ndaj për kontroll dhe punën e përfaqësueseve të Qeverisë, është bazë e shumicës parlamentare. Nikolla Dimitrov, nuk po e thotë të vërtetën, kur thotë se në janar në takimin I liderëve nuk janë mbajtur shënime zyrtare. Ato janë bërë nga kryetari Ivanov, janë bërë edhe në takimin I cili u mbajt në maj, nga kabinetin e MPJ-së dhe nga kabineti I Ivanovit”
E gjithë përplasja filloi dje kur deputeti Antonio Milloshovski paralajmëroi publikimin e shënimeve zyrtare nga takimi i liderëve te kryetari i shtetit për të shpalosur qëndrimet e para të liderëve partiak. Por më pas nga LSDM akuzuan se Milloshovski shënimet i ka siguruar në mënyrë antiligjore dhe në të njëjtën mënyrë ka tentuar ti publikojë, pasi ai nuk posedon certifikat për siguri.