VMRO-DPMNE: Venko Filipçe duhet të jep dorëheqje

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE vazhdon të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, tani për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja me koronavirus.

Nga kjo parti thonë se ditëve të fundit janë shënuar rekorde të zeza, në lidhje me sëmundjen COVID-19.
“Numri i të vdekurve ka arritur gati 800. Numri i të infektuarve në një ditë ka arritur deri në 20 përqind nga numri i të testuarve. Po shënohen rekorde të zeza. Filipçe a është i vetëdijshëm për këtë? 16 spitalet e paralajmëruara modular, me të cilat Filipçe u lëvdua para zgjedhjeve nuk janë askund”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, ditëve të fundit janë regjistruar numër i lartë i rasteve të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 20.937, prej të cilëve 16.194 janë shëruar, ndërsa 792 kanë ndërruar jetë.