VMRO-DPMNE reagon pas video porosisë së Ahmetit: “Përveç kabllos ilegale elektrike, të kontrollojë edhe personelin”

Nga VMRO-DPMNE-ja kanë reaguar pas video porosisë së mbrëmshme të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, përcjell TV21. Nga kjo parti akuzojnë partinë e Ahmetit për korrupsion, ndërkaq fajësojnë koalicionin aktual qeverisës për krizën energjetike dhe ekonomike.

“Sa herë që Ali Ahmeti dëshiron të pëlqehet nga bashkësia ndërkombëtare në takimet e tij, ai heq dorë nga Kosova, lavdëron iniciativën e Serbisë “Ballkani i Hapur”, ku nuk përmendet Kosova dhe shpik agjendë të gjelbër, sa herë që Ahmeti dhe Kovaçevski duhet të kalojnë tenderët dhe miliona në TEC dhe Oslomej, Ahmeti bëhet patriot i shqetësuar dhe flet për Kosovën. Ahmeti nuk duhet të habitet se pse BDI-në e akuzojnë për korrupsion. Përveç kontrollit që duhet të bëj në kutinë elektrik, ku ka një kabllo të lidhur ilegalisht, duhet të kontrollojë edhe personelin që ka qenë burim krimi dhe korrupsioni për 20 vjet. Agjenda e gjelbër e BDI-së dhe tema e të drejtave të bashkësive etnike u shpik për ta mbuluar BDI-në në momentet kur vjedhin më së shumti nga qytetarët. Dhe sa më shumë të vjedhin BDI dhe LSDM së bashku, aq më i varfër është populli”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Ndryshe, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmjen e djeshme publikoi një video mesazh me përmbledhje të akuzave të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së që kanë pasur ndër vite për BDI-në, ndërsa në mbishkrim thuhet se partitë maqedonase vazhdimisht përdorin BDI-në për pika ditore politike.