VMRO-DPMNE: Pas 10 Majit bllokojmë Parlamentin


Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së ka vendosur që ta pranojë propozimin e liderit partiak Hristijan Mickoski për bllokim aktiv të Parlamentit pas 10 Majit. VMRO-DPMNE-ja paraprakisht kishte kërkuar që deri më 10 Maj, liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoninë e Veriut të ulen në një takim liderësh ku do të dakordohej data për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Pikërisht në seancën e Komitetit Ekzekutiv miratuam konkluzionin për bllokim aktiv të Kuvendit, që nënkupton bllokimin e të gjitha ligjeve të dëmshme që vijnë nga LSDM dhe BDI. Bllokimi do të hyjë në fuqi më 10 Maj, kurse deri atëherë LSDM-ja dhe BDI-ja të mendohen dhe të jenë të hapur për dialog dhe të pranojnë takim liderësh. Topi tani është në anën e LSDM-së dhe BDI-së, të ulemi në takim liderësh dhe ta definojmë datën”.

Socialdemokratët në pushtet janë shprehur të prerë se nuk do të lejojnë që bllokimet e paralajmëruara ta dëmtojnë vendin. Vendimin e organeve të larta partiake të opozitës maqedonase e kanë quajtur si të porositur nga ish-Kryeministri në arrati Nikola Gruevski.