VMRO-DPMNE nesër merr vendim për referendumin

VMRO-DPMNE-ja ka thirru mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për të diskutuar çështjen e referendumit. Megjithatë dita e martë nuk pritet të jetë dita kur opozita do të kumtojë qëndrimin e saj nëse është për ose kundër. Burime brenda opozitës bëjnë të ditur se vendimi i VMRO-së mund të zvarritet mbase deri pak ditë para referendumit. Siç mëson Alsat, opozita ka disa ditë që zhvillon debat të brendshëm, që më pas të dilet me qëndrim zyrtar. Ndërkohë subjektet e tjera kanë nisur fushatën. Aleanca për Shqiptarët si subjekt i cili udhëheq fushatë teke vlerëson se në Maqedoni ka alternativë për çdo gjë tjetër, përpos për anëtarësimin në NATO dhe BE. Kreu i ASH-së, Zijadin Sela theksoi në fazën e ndryshimeve kushtetuese, subjekti i tij do të ndërhyjë me amendamente.

Të njohura janë qëndrimet e ASH-së dhe vendimet e Kuvendit Qendror të ASH-së. Përveç kësaj neve do të shpjegojmë edhe përse është e nevojshme që në Maqedoni bashkë me ndryshimet tjera kushtetuese që parashihen në Marrëveshjen e Prespës të arrihet edhe barabarësia ndërmjet komuniteteve dhe assesi nuk do të lejojmë koncepte të shtetit një-etnik. ASH kurrë nuk do të votojë në dëm të shqiptarëve. Do të votojë gjithçka që është në të mirën e përbashkët e të gjithë qytetarëve por pa shkelur dinjitetin dhe autoktoninë e shqiptarëve- deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Lëvizja Besa, krahu i Bilall Kasamit si subjekt pro referendumit potencon nevojën e anëtarësimit në NATO dhe BE si shqiptar dhe jo si përqindje. Besa e Kasamit do të ndërhyjë me amendamente në ndryshimet Kushtetuese, të cilat do t’i saktësojë pas referendumit./Pacensure