VMRO-DPMNE: Këshilli i Prokurorëve Publikë të ndalojë shkeljet e ligjit

VMRO-DPMNE deklaroi se “Këshilli i Prokurorëve Publikë po ndjek hapat e Këshillit Gjyqësor. Para dy ditësh raportuam se Këshilli Gjyqësor ndërhyri drejtpërdrejt në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, dhe tani dëshmojmë se të njëjtën gjë e ka bërë edhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Në vend që të propozojë dhe të emërojë një anëtar nga radhët e prokurorëve në Bordin Drejtues të Akademisë, Këshilli ka emëruar kryetaren e tij, Dushica Dimitrievska.

Kjo konsiderohet si një ndërhyrje klasike në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë dhe një shkelje flagrante e normave ligjore. Neni 44 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit e përcakton qartë se ndalohet që një person i zgjedhur apo i emëruar të jetë pjesë e një organi drejtues në një organ shtetëror apo person juridik që disponon kapital shtetëror.

Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, në këtë rast Dushica Dimitrievska, është një person i emëruar dhe nuk duhet të jetë anëtare e Bordit Drejtues të Akademisë, e cila ka për qëllim të formojë gjeneratat e ardhshme të gjykatësve dhe prokurorëve.

Përveç ndërhyrjes direkte dhe shkeljes flagrante të ligjit, emërimi i Dimitrievskës si anëtare e Bordit Drejtues të Akademisë lë të kuptohet edhe për një përfshirje politike nga opozita, LSDM. Në fakt, kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrievska, është nëna e Ema Neshkoska, e cila është anëtare e Këshillit të Komunës së Gostivarit dhe që në zgjedhjet e fundit parlamentare në maj ishte kandidate për deputete nga radhët e LSDM-së.

“Me këtë mënyrë të punës, duke ndërhyrë në institucionet e pavarura dhe duke shkelur ligjet, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë po e shkatërrojnë imazhin dhe besimin e qytetarëve në organet e drejtësisë.

Nuk duhet të habitemi pse ky besim i ulët nga qytetarët prej vetëm 2% mund të bjerë edhe më shumë. Prandaj, kërkohet një reagim i menjëhershëm dhe përgjegjësi, dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit të Prokurorëve Publikë që të ndalojë së shkeluri ligjin dhe menjëherë të tërheqë propozimin e saj për Dushica Dimitrievska si anëtare e Bordit Drejtues të Akademisë,” thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.