VMRO-DPMNE: “Drunj dhe peleta as për ilaç – çmime të trefishuara”

Pasiguria dhe frika nga restriksionet e rrymës elektrike për shkak të krizës energjetike, ka detyruar qytetarët që të gjejnë shpëtimin tek drunjtë për ngrohje. Sipas VMRO-DPMNE-së, për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Qeverisë, dru për ngrohje s`ka as për ilaç.

VMRO-DPMNE-ja thotë se Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë”, në tregun e drunjve për ngrohje ka ofruar katër herë më pak drunj krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tyre, kjo ndërmarrje këtë vit nuk ka as edhe 20% të realizimit të drunjve të prerë për ngrohje që nevojiten për konsumimin e brendshëm dhe si pasojë e kësaj qytetarët në vend që të shërbehen nga Ndërmarrja Publike, dërgohen tek firmat private.

“Oferta e zvogëluar ndikon edhe në rritjen e cmimeve të drunjve për ngrohje në firmat private që janë mbi 5.000 denarë për një metër kub. Trendi I njëjtë është edhe me rritjen e cmimeve të peletave, ku krahasuar me vitin e kaluar cmimet janë trefishuar. Nëse vitin e kaluar një ton paguhej 12.000 denarë, sot kushton mbi 35.000 denarë”, deklaroi Cvetan Tripunovski nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE kërkon përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë përse kanë lejuar që të ketë mungesë të drunjve për ngrohje, që ka ndikuar në rritjen e cmimeve, kur prerja me kohë do të zgjidhte problemin. Opozita maqedonase dyshon se cmimi I lartë I drunjve për ngrohje dhe peletave është bërë me qëllim që, sic thonë, të pasurohen individë të afërt me qeverinë./KlanMacedonia/