VMRO-ja ka ngritur sot pretendimin se djali i Ali Ahmetit, Shkumbin Ahmeti, së bashku me nipërit e Aliut, Drinin dhe Besianin, po hyjnë në një biznes 35 milionë euro për ndërtimin e një centrali fotovoltaik 60 MW në zonën e Kërçovës. Deputeti nga radhët e VMRO-së, Dragan Kovaçki ka deklaruar se familjarët e Aliut tashmë kanë krijuar kompaninë “Helios”, në të cilën secili prej tyre ka 1/3 e pronësisë.
DRAGAN KOVAÇKI, DEPUTET NGA RADHËT E VMRO-SË
“Sipas dokumenteve që na kanë arritur nga sinjalizuesit, të cilat janë analiza e bankës në të cilën kanë llogari kompanitë e Ahmetit, mësojmë për ndërhyrjen e madhe të politikës në biznes dhe pasurimin e madh të klanit nga Zajazi. Në analizë, shkruhet se familja Ahmeti ka njoftuar bankën se tashmë kanë marrë leje për një termocentral të tillë nga autoritetet kompetente qeveritare, dhe janë në pritje të licencës nga Ministria e Transportit. Por, siç thuhet në të njëjtën, Ahmeti nuk ka dorëzuar asnjë dokument me të cilin mund ta vërtetojnë marrjen e lejes”.