VMRO dhe LSDM përplasen për korridoret 8 e 10D

Gazetar: Adrian Kerimi

Mos publikimi i marrëveshjes me konzorciumin ndërkombëtar Bechtel&Enka mbi Korridoret 8 dhe 10-D ka përplasur edhe sot opozitën dhe pushtetin. VMRO-DPMNE-ja akuzon se Qeveria po bën petulla në ujë, pasi sipas tyre akoma nuk ka projekt dhe financim të kompletuar për dyja korridoret, ndërsa sipas tyre marrëveshja mbahet e fshehur për qëllim korruptive.

“Në vend që ta përfundojnë autostradën Kërçovë-Ohër, BDI dhe LSDM rrahin gjoks projekt edhe më të madh infrastrukturor, disa herë më i madh se autostrada Kërçovë-Ohër, ku nuk është bërë akoma projektimi kryesor, ku nuk është siguruar financimi nga jashtë, ku mbikëqyrje do të bëjnë firma me përvojë në industrinë e tekstilit dhe me marrëveshje e cila fshihet nga opinioni”, u shpreh Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM-ja thonë se VMRO-DPMNE-ja është nën ndikimin kinez dhe rus, prandaj edhe akuzon kompaninë amerikane dhe SHBA-të.

“Pas një serie të investimeve kineze të bëra në kohën e VMRO-DPMNE-së, për herë të parë kemi një projektues amerikan por menjëherë regjimi i VMRO-DPMNE-së nën pengun e të Majtës pro ruse po i akuzon SHBA-të dhe realizuesin Bechtel për korrupsion. VMRO-DPMNE-ja është kundër çdo projekti strategjik dhe kundër përparimit të shtetit”, thonë nga LSDM.

Opozita tashmë disa javë rresht kërkon publikimin e marrëveshjes mes NP Rrugët Shtetërore dhe konzorciumit turko-amerikan Bechtel&Enka. Zëvendëskryeministri Artan Grubi ka deklaruar se marrëveshja nuk mund të publikohet për shkak se është e klasifikuar, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se marrëveshja nuk mund të publikohet pasi është e gjysmë klasifikuar. /Alsat.mk