Vlora Çitaku i thotë gazetarit Judah se postoi plot spekulime

Gazetari britanik, Tim Judah, njohës i zhvillimeve politike në Ballkan, ka dhënë një version, pse, sipas tij, SHBA-ja me anë të emisarit të saj special, Richard Grenell, dëshiron të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes Kosovës e Serbisë.

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, i ka thënë gazetarit se postimi i tij në Twitter është spekulativ.

“Me gjithë respektin Tim, postimi juaj është plot spekulime. Nuk e di kush është burimi juaj, por mund të ju them se është burim i paqëndrueshëm”, i ka replikuar Çitaku, transmeton Gazeta Express.

Korrespondentit të “The Economist” i është kundërpërgjigjur edhe vetë Grenelli.

“Gabim. Nuk po e dini për çfarë po flisni. Askush nuk po provon të lëvizë shpejt dhe nuk ka marrëveshje të madhe. Jeni duke i shpikur gjërat”, ka shkruar emisari special për dialogun Kosovë – Serbi”, i ka shkruar Grenell.

Judah në një nga arsyet pse, sipas tij, po nguten për marrëveshje është fundi i mandatit të presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, meqenëse SHBA-ja po punon intensivisht me Thaçin, kjo mund të ishte një masë mbrojtëse e tij nga Dhomat e Specializuara.