Pasi kryetari ZNAM, Maksim Dimitireski tha për VLEN-in që “Ta korrigjojnë veten, mos ta emitojnë BDI-në”, ka reaguar VLEN, përcjell TV21. VLEN tha se nuk është e patjetërsueshme që partnerët qeverisës të pajtohen për të gjitha dhe se secili ka të drejtë të ndërtojë identitetin e tij bazuar në bindjet që ka. VLEN tutje i bëri thirrje ZNAM që siç thotë, të mos i bëjë pa vetëdije qefin BDI-së ndërkohë që për këtë të fundit tha se, udhëheqja e tyre kriminale dëshiron tensione në të gjitha fushat.
“Çdo subjekt politik ka të drejtën demokratike për të ndërtuar identitetin e tij bazuar në bindjet e veta. Nuk është e nevojshme të pajtohemi për të gjitha çështjet, por duhet të respektojmë njëri-tjetrin duke pasur parasysh faktin se jemi pjesë e një Qeverie të përbashkët, pasi kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo politike. Si Qeveri, kemi prioritete programore të përcaktuara dhe të harmonizuara dhe detyra jonë është të punojmë me përkushtim për realizimin e tyre. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje ZNAM-it që të mos i bëjë pa vetëdije qefin BDI-së.
Udhëheqja e tyre kriminale dëshiron tensione në të gjitha fushat. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale për korrupsionin e kryer politik dhe për të ruajtur pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, ata ëndërrojnë edhe për tërmete Brenda koalicionit qeveritar.
VLEN fitoi 107 mijë vota shqiptare dhe nuk mund të tjetërsohet etnikisht vetëm për ta bërë lëvizjen ZNAM të ndihet rehat në Qeveri. Sidomos duke marrë parasysh se Dimitrievski është zgjedhur kryetar i komunës së Kumanovës edhe me vota shqiptare dhe e di shumë mirë rëndësinë e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Nuk duam të besojmë se ZNAM dëshiron të hyjë në një fushatë për zgjedhjet lokale duke përsëritur kredon e gabuar të Tito Petkovskit nga zgjedhjet presidenciale të vitit 1999 – nuk na duhen votat e shqiptarëve. Shumica parlamentare përbëhet nga dy koalicione dhe një lëvizje si ZNAM. Teza se ata janë vetëm partnerë të VMRO-DPMNE-së është populizëm naiv me jetë të shkurtër.
Në çdo paraqitje mediatike është logjike që ZNAM të deklarohet qartë si partner qeveritar, pa lejuar që kompleksi nga BDI-ja në kohën e qeverisjes me LSDM-në të errësojë dioptrinë politike dhe të komplikojë marrëdhëniet në Qeveri për përfitime të vogla politike.
VLEN është krijuar si një reflektim i nevojës së shumicës së shqiptarëve që kërkonin një opsion krejtësisht të kundërt nga BDI-ja. VLEN do të vazhdojë të ndërtojë një doktrinë autentike politike, të cilën do ta zbatojë përmes një strukture të re dhe moderne koalicioni, detyra e së cilës është zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe sigurimi i një të ardhmeje të sigurt për shqiptarët. Koalicioni VLEN është sinqerisht dhe ndershmërisht i përkushtuar ndaj decentralizimit, përshpejtimit të perspektivave të BE-së dhe vazhdimit të punës së tij për të luftuar krimin dhe korrupsionin”, thuhet në kumtesën e VLEN.