VLEN: BDI po i sakrifikon shqiptarët për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale

VLEN në një kumtesë për media thotë se “BDI në mënyrë indirekte pranoi se po përpiqet me të gjitha forcat dhe instalimet e saj të pengojë punën e Qeverisë së re vetëm për të shpëtuar nga përgjegjësia penale”.

Nga VLEN thonë se “myku i BDI-së” nuk janë shqiptarët me dinjitet dhe të ndershëm në administratë, por ushtarët e verbuar partiakë të cilëve më shumë u intereson udhëheqësia e kriminalizuar në Reçicë të Vogël sesa drejtësia dhe funksionimi i sistemit”.

“Sinonim për “mykun e BDI-së” është marrëveshja e turpshme e Ixhet Memetit me “prokurorinë abaziane” për të marrë dënim me kusht për marrje ryshfeti për lehtësimin e procedurës për një person të akuzuar për kontrabandë me cigare”.

“Sinonim për “mykun e BDI-së” është të nxjerrësh tre akte juridike për të detyruar sistemin e drejtësisë të ekstradojë një ish-luftëtar të UÇK-së në Serbi, para se të shprehet Gjykata Supreme, vetëm për të shkaktuar tensione dhe për të akuzuar VLEN-in”.

“Sinonim për “mykun e BDI-së” është të paralajmërosh se do të largohesh nga BNJVL-ja gjoja për shkak të diskriminimit të komunave që drejtohen nga kryetarët e tyre, por të mos kesh dinjitet, nder dhe fytyrë të distancohesh nga Ramiz Merko pasi dihet mirëfilli se është futur në listën e zezë të SHBA-së”, thonë nga VLEN.