VLEN: BDI ia ka ofruar VMRO-së kryetarët e komunave në Strugë dhe Kërçovë

Nga VLEN thonë se deputeti i Frontit Europian, Elmi Aziri pranoi se ka marrë pjesë në takimin e mbajtur në Kuvend me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së.

Në kumtesën e VLEN-it thuhet se Elmi Aziri, deputet i të ashtuquajturit Front Evropian, në një intervistë televizive publikisht e pranoi që ka marr pjesë në takimin e mbajtur në zyrën 161 të Kuvendit!

“Me këtë, deputeti Aziri e pranoi atë që Koalicioni VLEN po e pohon në vazhdimësi: Takim mes VMRO-DPMNE dhe BDI dhe satelitëve të saj me urdhër të Ali Ahmetit ka pasur para formimit të Qeverisë. Takimi është mbajtur në Kuvend në zyrën 161.

Në këtë takim famoz ka marr pjesë Blerim Bexheti, Elmi Aziri dhe Menduh Thaçi. Kjo treshe “evropiane” u gjunjëzua para përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së me qëllim që të bëhen pjesë e Qeverisë në vend të Koalicionit VLEN, edhe atë duke pranuar vetëm katër ministri dhe pa kryetar parlamenti.

Madje kanë ofruar që në zgjedhjet lokale të punojnë që VMRO-DPMNE të fitoj kandidatë maqedon në për kryetar komune në Kërçovë dhe Strugë, si dhe të përgatisin listë të ish funksionarëve të BDI-së që të njëjtit të digjen politikisht vetëm e vetëm të shpëtojnë nipat e Ahmetit”, akuzojnë nga VLEN.

Me këtë konfirmim publik, shtojnë nga atje, përfundimisht ranë maskat. U konfirmua se “Fronti Evropian” për t’i shpëtuar funksionarët e saj nga përgjegjësia penale për korrupsion politik nuk la pazar pa ofruar.