Vladimir Putin fut në përdorim trenin e blinduar, me dhomë gjumi, zyrë dhe antena satelitore

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ka filluar të përdorë një tren të blinduar për të lëvizur.

Mediat e huaja bëjnë me dije se e gjitha kjo është bërë në mënyrë që Putin të mos gjurmohet lehtësisht pasi avioni të cilin përdorte ishte lehtësisht i aksesueshëm për t’u lokalizuar.

Treni i Putin udhëton me shpejtësi maksimale dhe pa ndalesa. Brenda ka një dhomë gjumi dhe një zyrë, si dhe vagonë të veçantë për akomodimin e truprojave dhe komunikimet speciale.

Treni i Putinit gjithashtu ndryshon nga trenat e pasagjerëve edhe nga jashtë, sepse ai ka më shumë antena dhe tërheq tre lokomotiva njëherësh. Vetë vagonët janë me gjashtë boshte, gjë që tregon se është i blinduar.

Treni i blinduar u projektua në vitet 2014-2015, por nuk ngjalli shumë interes tek Putin derisa Kremlini filloi përgatitjet për të pushtuar Ukrainën.

Ai tani përdor trenin kryesisht për të udhëtuar nëpër Rusi dhe për të shkuar në rezidencën e tij në Valdai.