Vjosa Osmani shfuqizon vendimin për djalin e Haxhi Shalës


Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë.
Në mesin e tyre ishte edhe djali i Haxhi Shalës, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Pragë.

Shfuqizimi i katër dekreteve për konsujt u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Presidenca, ku thuhet se konsujt e përgjithshëm nuk kishin pëlqim nga shteti pritës.
“Në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani-Sadriu sot ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada.
Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës.

Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak.
Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. Presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”, thuhet në komunikatën e Presidencës për media.