Vjollcë Berisha me super përgjigje për ministren e Arsimit: Toni ofendues tregon se asgjë s’ka ndryshuar në mendësinë tuaj! Më parë librat sillni, ministre, më pas fjalët e përçmimet!

Vjollcë Berisha:

Hakërrimi i ministres së Arsimit nga pozicioni i të “fortit” se do të merren masa të rrepta për shkollat që organizojnë shfaqje duke sjellë në mendje luftëtarët e tyre të lirisë, është krejtësisht ksenofobe dhe pa fijen e respektit ndaj bashkështetasve të vet shqiptarë.

Nuk ka nevojë ta sqaroj se në asnjë moment nuk jam për të stimuluar kurrnjëlloj dhune, por nuk mendoj se atë e ka bërë ndonjë shkollë që ka kremtuar me shfaqje festive 28 Nëntorin, aq më pak shkolla që u paskësh lëvduar së fundmi për kultivim të barazisë, miqësisë e demokracisë, siç pretendon shefja e Arsimit.

Liria është njëra nga vlerat themelore të njerëzimit, lufta për ta pasur atë është frymëzim që në radhë të parë jepet në shkollë. Mirënjohja si vlerë e lartë qytetëruese, është gjithashtu ndjenjë që ushqehet kundrejt luftëtarëve të lirisë. Shkollat i kanë edhe në programet e tyre mirënjohjet për ata që i çliruan, mirënjohje që artikulohen e mëkohen në radhë të parë me këngë, poezi, recitale e pjesë skenike.

Kostumografia dhe rekuizitat skenografike janë mjetet kryesore për një shfaqje teatrale siç ka qenë ajo e nxënësve që kanë qenë në rolin e luftëtarëve për ta mbajtur lart krenarinë dhe kujtesën kombëtare, pa fyer askend, pa sharë e urrejtur njeri. Thjesht, duke himnizuar, siç është bërë e bëhet kudo.

Ata kanë shkërbyer (imituar) ushtarë, ushtarë si ata bustet e të cilëve me qindra vjet shenjojnë sheshet e botës pa nxitur kurrfarë dhune e keqedukimi.

Nëse ky vend pati nevojë për një luftë, për një ushtri, më së paku janë fajtorë ata fëmijë dhe prindërit e mësuesit e tyre, ndaj të cilëve ministrja “fjalëshumë e punëpak” drejtohet me ton përçmues, për nivelin e tyre kulturor, përgatitjen profesionale dhe aftësitë prindërore.
Ajo duhet ta dijë më së mirë se edhe lufta, edhe pasojat, edhe ushtria e armët erdhën për shkak të mënyrës armiqësore, ksenofobe, plot të meta trashëguar nga sistemi jugosllav i mosnjohjes së shqiptarëve si komb shtetformues, erdhi nga zemërngushtësia dhe paaftësia e shtetit të ri për ta mbajtur veshur petkun e udhëheqësit të moderuar, demokrat, pa paragjykime, me nivel e kulturë evropiane. U pa në dritë të diellit se hegjemonizmi primitiv dhe opinga me të cilën i shkilnin shqiptarët në tokën e tyre, e solli edhe atë nevojë për armë, të cilën më së paku e dëshironin shqiptarët.

Edhe sot, nga kjo distancë kohore, toni ofendues i ministres për bashkëqytetarët e saj mjerisht flet se asgjë s’ka ndryshuar në mendësinë e tyre, madje edhe në atë të elitave politike e arsimore të shumicës prej tyre.

Toni i tekstit të saj tregon se i tërë problemi qëndron mu te ky mosndryshim. Edhe 23 vjet pas luftës, në vend që të reflektohet për gabimet e së kaluarës që sollën deri në rrokje armësh e viktima, ajo i drejtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si “grupacione ushtarake joformale nga e kaluara”, me qëllim të minimizimit, ofendimit e mospranimit, duke harruar se mospranimet e mosnjohjet e tjetrit janë pengesat më të mëdha drejt dashurisë. Kështu që burimi i urrejtjes primitive duhet kërkuar te qasja që ka elita maqedonase, në krye me ministren e Shkollës, ndaj historisë sonë të re, e cila është mjaft e qartë për të nxjerrë mësime.

Megjithatë, ky ton ofendues vetëm sa e turpëron atë. Patetika e veshur me gjasme qytetërim është më e pështira shfaqje e injorancës politike.

Ministrja e Arsimit kur ta ketë bërë punën e saj si duhet, kur ta ketë ngritur cilësinë e arsimit, kur ta ketë ndaluar emërimin e drejtorëve ekskluzivisht nga radhët e partisë së vet që (ia kujtoj) mban emrin e një organizate revolucionare, kur të mundësojë nxënësit të kenë libra, atëherë nëse do t’i ngelet kohë, mund të mbajë leksione qytetërimi e të bëjë gjykatësin, ekzekutuesin apo analistin sociopsikoligjik të nxënësve shqiptarë dhe prindërve të tyre.

Më parë librat sillni, ministre, më pas fjalët e përçmimet!