Vizbegu ende pa shkollën e premtuar, nxënësit bëjnë rrugë të gjatë për të ndjekur mësimin

Në mungesë të një objekti shkollor në Vizbeg, ky i moshuar me biçikletën e tij çdo ditë bën disa kilometra rrugë deri në Shutkë për t’i sjellë mbesat e tij në Shkollë.
“Çdo dit vij i sjell me biçikletë. Prej nga vjen? Vij nga Vibegu. Për sa vite i sjell nxënësit? Prej 15 viteve kështu çdo ditë. A duhet shkollë në Vizbeg? Po duhet si jo. E nisën një por asgjë akoma. Vetëm ia prishën themelet e fermës së lopëve atij afër”

Disa prind thonë se kanë humbur edhe vendet e punës si pasojë e angazhimeve të përditshme për t’i dërguar fëmijët në shkollë dhe kthyer pas mësimin në shtëpi.
“Nga puna dal vij dhe e marr fëmijën. Disa herë kemi humb vendet e punës për këtë shkak” Nxënësit kanë një dëshirë, duan shkollë.

A lodhesh duke ecur çdo ditë shkollë-shtëpi? A e ke shkollën larg? “Lodhëm çdo ditë. Shkollën e kam larg, aty ku eci ka baltë. Dua të kem këtu një shkollë”, tha Berna Shaqiri, nxënëse e klasës së dytë.
Rreth 500 filloristë nga lagja Vizbeg mësimin e ndjekin në Shkollën Fillore “26 Korriku” në Shutkë të Shkupit. Kjo sipas drejtorit Driton Ganiu rëndon procesin mësimor, por nxënësit nuk mund t’i lënë në rrugë.

“Nuk kanë zgjidhje tjetër, janë fëmijë të kësaj lagje, shkolla më e afër është shkolla jonë. Është e vërtetë se e ngarkojnë procesin, por derisa nuk kanë zgjidhje tjetër duhet t’i pranojmë”, pohoi Driton Ganiu, drejtor i SH.F. “26 korriku”, Shutkë.
Për zgjidhjen e problemit, banorët e Vizbegut madje kanë dhënë edhe tokën e tyre.
“Kemi dhënë për shkollën. E kisha një objekt aty dhe e kam prishur për ta liruar vendin. Mendova se do të ndërtohet shkollë por deri tani nuk ka asgjë”

“Ky truall është ndarë për të ndërtuar shkollë të re për nxënësit nga Vizbegu. Megjithëse Qeveria javë më parë miratoi vendimin për shpronësimin e tokës të cilën e kanë ndarë disa banorë të këtij rajoni, asnjë gurë nuk është lëvizur nga ky vend, që do të jepte indikacione se Qeveria seriozisht po merret me ndërtimin e objektit të ri shkollor, e që do të zgjidhje problemin disa vjeçar të nxënësve nga Vizbegu të cilët me kilometra ecin në këmbë për të ndjekur procesin edukativo arsimor në Shutkë”

Premtimi për shkollën në Vizbeg është dhënë ndër vite, kryesisht nga partitë në pushtet. Madje ky premtim akoma rezulton në programin Qeveritar të LSDM-së si dhe programin lokal të Komunës së Butelit.
“Mundemi 2020”
Kapitulli arsimi 2020-2024: Do të ndërtojmë dhe rikonstruojmë. Ndërtim i objektit të ri shkollor në lagjen Vizbeg,Butel.

Kreu i Komunës së Butelit Velimir Smilevski thotë se vonesat janë shkaktuar si pasojë e mosmarrëveshjes mes komunës dhe banorëve për shfrytëzimin e tokës. Paraprakisht është vendosur rrjeti i kanalizimit dhe ujësjellësit si dhe në marrëveshje me banorët është zgjeruar rruga që çon deri te vendi i paraparë për shkollë fillore. Së fundmi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm nga procedura e shpronësimit dhe deri te vendimi i cili i hap rrugën shkollës së re.

“Sa i takon realizimit të projektit besoj se Komuna e Butelit dhe MASH-i, ashtu siç vepruam ne për këtë çështje, besoj se do të veprojnë edhe ata njëjtë dhe në mënyrë efikase”, pohoi Bekim Rexhepi, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ndërsa kreu i Butelit, Smilevski thotë se tenderimi do të hapet në prill, ndërsa punimet do të fillojnë në korrik.

“Shpresoj se shumë shpejtë, gjatë muajit prill do të nisë tenderimi. MASH posedon projektin dhe specifikimet për të filluar ndërtimin e shkollës. Unë besoj se gjatë muajit korrik do të nisë ndërtimi me të gjitha standardet”, tha Velimir Smilevski, kryetar i Butelit.
Edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se kanë përcaktuar projektin mbi të cilin duhet ndërtuar objekti i ri shkollor në lagjen Vizbeg të Shkupit.