Vitia: Kemi siguruar vaksinat dhe jemi përgatitur për të filluar procesin e imunizimit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se institucionet janë në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.
Ai ka thënë se së shpejti mbërrin kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.

Postimi i ministrit Vitia:
Të dashura qytetare, Të dashur qytetarë,
Jemi në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin tonë.

Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit.
I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.
Kështu shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurtë dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur.

Ju lutem si çdo herë: ndiqni dhe informohuni në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit.
Ju falenderoj të gjithëve për besimin dhe solidaritetin e treguar prej shkurtit të vitit 2020.
Falenderime nga zemra të gjithëve që ndihmuan në sigurimin e vaksinave!
Ecim tutje, për më mirë dhe më sigurtë!