Viti i ri mësimor në Maqedoni me prani fizike dhe me protokolle shëndetësore

Shkollat janë tashmë gati për vitin e ri mësimor që fillon nesër dhe që do të mbahet me prezencë fizike me protokolle shëndetësore.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska dje theksoi se nuk ka diskutime për ndryshim të modelit të mësimit, ndërsa për këtë vendos Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Përjashtim, thotë ajo, është bërë në kërkesën e Shtabit Koordinativ të Tetovës për mësim online në dy javët e para në shkollat e mesme për shkak të gjendjes epidemiologjike.

“KSI vërtetoi se mund të ketë mësim onlin vetëm për shkak të ngarkesës së spitaleve, dhe jo për shkak të parametrave të tjerë. Kjo tregon se nuk do të diskutohet për ndryshim të modelit në shkollat e mesme, por për fillimin e vitit të ri mësimor”, tha Carovska.

E pyetur çfarë mendon për mësimin në shkollat e mesme, Carovska theksoi se vendimet për mësim miratohen nga Qeveria në bazë të argumenteve dhe rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe jo në bazë të qëndrimeve personale.
Ajo theksoi se protokollet janë bërë të ditur moti dhe janë të qasshme për të gjithë ata që duan të lexojnë.

“Dezinfektimi është qartësisht i parashkruar, maskat gjithashtu si dhe përdorimi i klasës. E rëndësishme është ajrosja e klasave dhe është e ndaluar kjo të ndodhë me pajisje, por duhet me dritare të hapura. Nxënësit gjatë pushimit mund të dalin jashtë për t’i nxjerrë maskat, por në klasë duhet të ketë edhe dezinfektim të vazhdueshëm të hapësirave, dezinfektim të duarve dhe mbajtje të maskave në vazhdimësi”, tha Carovska.

Sipas saj, nuk ka opsion më të mirë për nxënësit se sa mësimi me prezencë fizike.
Ndryshe, viti i ri mësimor do të fillojë me shkolla të hapura për filloristët dhe nxënësit e shkollave të mesme. Këtë vendim e rekomandoi Shtabi Kryesor i Krizës më 16 gusht, ndërsa vendimi u miratua një ditë më vonë nga Qeveria.