Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka njoftuar se është gjobitur për kundërvajtje nga autoritetet shtetërore në RMV, për shkak të organizimit të pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair.
Ganiu në një paraqitje para mediave, pas deklaratës së tij në polici, tha se dënimet i ka marrë për shkak se gjatë pritjes së kryeministrit Albin Kurti nuk është kënduar himni maqedonas dhe kanë munguar flamujt e Maqedonisë.
“Policia ka vendosur të më dënojë me dy dënime për kundërvajtje, për shkak të vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Çair. Nuk ka pasur arsye për këto dënime, pasi vizita të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, por shihet se kjo është me tendencë. Gjobat i kanë bërë pasi thirren në ligjin që parasheh këndimin e himnit të Maqedonisë dhe mungesën e flamurit maqedonas”.
Ai tha se me vizitën e Kurtit në Çair dhe Tetovë janë marrë të gjithë krerët shtetërorë, ndërsa përmendi deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
“Mund t’i shihni deklaratat e krerëve shtetëror, duke filluar nga ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, sipas të cilit vitiza e Kurtit ishte private. Pastaj kryeministri Kovaçevski, presidenti Pendarovski, dhe presidenti i Serbisë, pra të gjithë kanë qenë në një vijë”, tha Ganiu.
Ndërsa i pyetur për iniciativën e kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, për zhbërjen e rrugës me emrin “Adem Demaçi”, Ganiu tha se të bëhet një gjë e tillë duhet të kenë shumicë të dyfishtë në Këshillin e Bashkisë së Shkupit, gjegjësisht edhe këshilltarët shqiptarë të votojnë “pro” asaj iniciative.