Virusi korona, 11 padi kundërvajtëse për shkelësit e masave

Policia ka shtuar kontrollet për personat me simptome të virusit Korona. Sipas MPB-së deri të enjten në mesditë në vetë-izolim janë 2,268 persona, prej të cilëve 1 mijë janë në Shkup. Ndërsa, me vendim për mbikëqyrje shëndetësore aktualisht janë 365 persona në gjithë vendin, prej tyre 230 vetëm në Shkup. Ministri i Brendshëm Naqe Çulev tha se për shkeljen e urdhëresave të institucioneve parashikohen dënime nga 2,500 euro deri më tri vjet burg.

Më 17 dhe 18 Mars janë shqiptuar 11 kallëzime penale kundër 12 personave edhe atë 2 padi sipas nenin 205 të Kodit Penal për shpërndarje të sëmundjeve infektive në Strumicë. 10 kallëzime penale janë bërë sipas nenit 206 të Kodit Penal mos respektimin e rekomandimeve shëndetësore në kohën e epidemisë: në Veles, Manastir dhe Shtip. Në procedurë janë edhe 5 kallëzime penale tjera 2 Strumicë, 2 Kumanovë dhe 1 në Ohër”-tha Naqe Çulev, Ministër i brendshëm teknik.

Është paditur edhe ish-drejtoresha e Klinikës Dermatologjike, Nina Caca Biljanovska, e cila më 29 shkurt ishte kthyer nga Italia dhe më pas ka vazhduar punën edhe pse ka rezultuar pozitiv me CoVid-19. Në linjën telefonike të MPB-së janë denoncuar 402 raste të mos-respektimit të masave në dy ditët e fundit. Një rast i ngjashëm në Manastir ka përfunduar me përleshje fizike mes fqinjëve për mos respektimin e vetë-izolimit.

Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se masat e sigurisë mund të shtohen deri në caktimin e orës policore në rast se vazhdojnë të mos respektohen ato që janë në fuqi.

Situata është urgjente dhe lë hapësirë që në disa raste të intervenohet menjëherë për të marrë masa të reja. Prandaj janë urdhëresat e Qeverisë që të veprohet menjëherë në mënyrë efikase. Esenca e urdhëresave me fuqinë e ligjit edhe në raste kur situata është e jashtëzakonshme është që gjithçka të jetë juridikisht e rregulluar, me qëllim që të gjithë ta dinë përgjegjësinë e vetë”-pohoi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend është themeluar një shtab i përbashkët polici-ushtri për aspektet e sigurisë. 5500 ushtarë pritet të marrin nën kontroll kufijtë e gjelbër. Mbledhja e parë e shtabit u mbajt në mesditë, ku ndër masat e reja shtesë kundër virusit Covid-19 u vendos që edhe kamionët e huaj për transit do të kenë vetëm 5 orë kohë për të kaluar nëpër territorin e vendit tonë. Sipas të dhënave të MPB-së gjatë 24 orëve të fundit 2,824 persona kanë hyrë në vendin tonë, prej të cilëve 2017 janë shtetasit tanë. Ndërsa, nga Maqedonia e Veriut kanë dalë 2278 persona, prej të cilëve 951 shtetas që kanë firmosur pëlqimin se nuk do kthehen 3 muaj.