Virusi i PDK-së Memli Krasniqi: Virusi më i rrezikshëm për qytetarët tanë është Albin Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se virusi më i rrezikshëm për qytetarët tanë është Albin Kurti. Ai ka thënë se Kurti e ka infektuar dhe po e infekton opinionin tonë me qasjen e poshtër të anti-amerikanizmit.

Krasniqi këto komente i ka bërë përmes një postimi në Facebook. Duke iu referuar Kurtit, ai ka shtuar se ky njeri, që sot është Kryeministër i vendit, përbën rrezikun më të madh në historinë e re të Kosovës.

Postimi i plotë:

Derisa rreziku i Koronavirusit është duke e filluar një ndjenjë paniku edhe në Kosovë, për fat të keq, po harrojmë që virusi më i rrezikshëm për qytetarët tanë është Albin Kurti. Ky njeri e ka infektuar dhe po e infekton opinionin tonë me qasjen e poshtër të anti-amerikanizmit, thua se ne jemi satelitë të Rusisë e të Iranit e jo pjesë e qytetërimit perëndimor dhe në miqësi të përhershme me Amerikën.

Ky njeri, që sot është Kryeministër i vendit, përbën rrezikun më të madh në historinë e re të Kosovës! I rrethuar me njerëz që i urrejnë vlerat perëndimore dhe veçanërisht SHBA-të, ai sot është duke e drejtuar Kosovën në kurs të konfrontimit të hapur dhe përplasjes direkte me aleatin më të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve, në pergjithësi.

Deklarimet konkrete sot të Senatorit amerikan David Perdue dhe të Donald Trump Jr., për tërheqjen nga Kosova të trupave ushtarake amerikane duhet të alarmojnë secilin njeri normal në Kosovë. Ky rrezik, i kombinuar me pezullimin e ndihmës amerikane prej 200 milionë dollarësh, në kuadër të MCC-së, përbën sanksione direkte të SHBA-ve në raport me Kosovën.

Po a jeni në vete more? Ku e merrni guximin ta rrezikoni të tashmen e të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve tanë? Për kë punoni ju, që e bëni Amerikën t’i vendosë sanksione Kosovës? Çfarë shqiptarë jeni ju kështu?

Ndoshta ky edhe është qëllimi i juaj i vërtetë, sepse me vite SHBA-të dhe shtetet perëndimore i keni quajtur “imperialiste” dhe “kolonizatore”, por dijeni që populli ynë nuk do të ju lejojë kurrë që ta shkatërroni aleancën tonë jetike me SHBA-të. Kushdo që tenton të na konfrontojë kaq keq me Amerikën, do të përfundojë në histori vetëm si një mbeturinë neo-sovjetike dhe asgjë më shumë.