Virusi dengue “pushton” Argjentinën, 40 të vdekur dhe mbi 60 mijë të infektuar


Argjentina po lufton me një shpërthim rekord të infeksionit viral Dengue (dengej) i cili ka vrarë më shumë se 40 persona dhe ka infektuar më shumë se 60 mijë të tjerë kryesisht në veri perëndim të vendit.

Ky infeksion përhapet nga mushkonjat Aedes Aegupti dhe shpërthimi më i madh që goditi Argjentinën ishte në vitin 2020. Ministria e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për shtim të rasteve teksa iu ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes.

Biologët kanë nisur punën në laboratorë duke rrezatuar me mijëra mushkonja të tilla duke iu ndryshuar atyre ADN-në me shpresën që pasardhësit e tyre të mos jenë infektues.

Mushkonja përhapet më së shumti në kohën e rritjes së temperaturave. Simptomat e virusit (dengej), i cili merret nga pickimi i mushkonjave përfshijnë ethe, dhimbje koke , të vjella dhe dhimbje kyçesh.

Ministria e Shëndetësisë në Argjentinë u ka kërkuar njerëzve që të rrisin masat kundër mushkonjave, duke përfshirë rrjetat kundër mushkonjave në dyert dhe dritaret, përdorimin e mjeteve kundër insekteve dhe heqjen e çdo kontejneri me ujë që mund të shërbejë si baza për shumim.