Viktima e parë nga tërmeti që lëkundi dhe Shqipërinë: Elmira Sefo vritet nga një shkëmb që ra mbi shtëpi


Një tërmet i fuqishëm ka lëkundur mbrëmë Ballkanin. Epiqendra e tërmetit ka qenë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe fuqia e tërmetit, sipas faqes europiane për tërmetet EMSC, ka qenë 5.7 ballë të Rihterit.

Tërmeti është ndjerë edhe në Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi, ndërsa sot bëhet me dije se është shënuar dhe viktima e parë. Bëhet fjalë për një vajzë 27 vjeçe, Elmira Sefo nga Stolaci, shkruajnë mediat vendase.

Mësohet se një shkëmb i madh ka rënë në shtëpinë ku e reja jetonte me prindërit, një qytet i Bosnjes, duke i shkaktuar asaj vdekjen. Prindërit e saj raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Elmira është dërguar me autoambulancë për në spitalin e Mostarit, ku mjekët tentuan ta risjellin në jetë, por pa sukses. Lëndimet që ajo mori ishin fatale.

Një e afërme i vajzës së plagosur ka thënë për mediat se shkëmbi ka thyer shtëpinë dhe se skenat janë të tmerrshme. “Ai shkëmb ra dhe u ça në shtëpinë e kushërinjve të mi. Kushëriri im u plagos rëndë. Në shtëpinë time gjithçka ra nga raftet në dysheme. Nuk kam ndjerë një tërmet të tillë në jetën time”, tha ajo.

Nga Qendra Shëndetësore në Stolac thonë se ka më shumë të lënduar, por për momentin nuk e kanë numrin e saktë, transmeton newsbomb.al. Disa njerëz u plagosën në Ljubinje dhe qytete të tjera të Hercegovinës.

Stevo Drapiq, kryetari i komunës së Lubinjës, tha për RTRS se dëme materiale u shkaktuan ndërtesave të banimit dhe ndërtesave komunale. Ai tregon se nuk ka të lënduar rëndë, ndërsa dëmet materiale do të vlerësohen më vonë.

“Është herët të flitet për shkallën e dëmeve, por është e rëndësishme që të mos ketë viktima në njerëz. Janë dëmtuar disa objekte, si dhe automjete pranë objekteve nga të cilat ka rënë fasada. Anëtarë të Mbrojtjes Civile, Zjarri Brigada dhe Shtabi i Krizave janë në terren Komunat”, thotë Drapiq.