Vijon rënia e euros, për dy javë ka humbur …

Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun është thelluar më shumë ditën e enjte, duke prekur një rekord të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 114.53 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.29 pikë krahasuar me ditën e mërkurë. Që nga fillimi i muajit dhjetor, Euro ka pësuar një rënie me 1.7% në kursin e këmbimit me lekun, ndërsa prej fillimit të vitit rënia ka arritur në pothuajse 5%.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se rënia e kursit të monedhës europiane i detyrohet ofertës së lartë të saj në tregun e brendshëm. Në muajin dhjetor, kjo ofertë rritet më te për shkak të zhvillimeve sezonale të lidhura me turizmin dhe kthimin e emigrantëve.

Ndërkohë, në javët e fundit kërkesa për Euro në treg ka rënë ndjeshëm pas përmirësimit të situatës së prodhimit të energjisë në vend dhe uljes së nevojës për importe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Një situatë e tillë i ka dobësuar akoma më shumë pozitat e Euros në kursin e këmbimit. Agjentët shprehen se në këtë vit tregu po karakaterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, që në një pjesë të madhe mund t’i atribuohet prurjeve nga kanalet informale.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se këtë vit deficiti i llogarisë korrente është në nivele të ngjashme me vitin 2021. Por, investimet e huaja direkte paraqiten në rritje. Agjentët e tregut hipozitojnë se në veçanti rritja e investimeve të shtetasve të huaj dhe shqiptarëve jorezidentë në pasuri të palaujtshme mund të ketë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në shtimin e prurjeve valutore dhe rritjen e ofertës së euros në treg.

Në situatën aktuale, kur inflacioni po shënon nivelet më të larta të 24 viteve të fundit, një forcim i monedhës kombëtare është i volitshëm për ekonominë shqiptare. Leku i fortë amortizon një pjesë të inflacionit të importuar dhe zbut efektet e rritjes së çmimeve për konsumatorët shqiptarë. Leku i fortë po bëhet një aleat i Bankës së Shqipërisë, në përpjekjet e për të ulur inflacionin nëpërmjet rritjes së normave të interesit.

Forcimi i Lekut po ndihmon edhe huamarrësit me kredi në monedhën europiane, por me të ardhura në monedhën vendase, për të zbutur pjesërisht efektet e rritjes së normave të huave me interes të ndryshueshëm.

Ata që humbasin nga mbiçmimi i Lekut kundrejt Euros janë eksportuesit e mallrave dhe të shërbimeve. Rënia e Euros po tkurr të ardhurat e tyre të konvertuara në monedhën vendase, duke ndikuar negativisht marzhet e fitimit.

Në teori, zhvlerësimi i Euros shkakton humbje të vlerës edhe për depozituesit që kanë kursime në monedhën europiane, në rastin kur shpenzimet e tyre parashikohen të jenë në monedhën vendase.