Vijnë, e ndotin ambientin dhe shkojnë!

Duke filluar nga liqeni i Mavrovës dhe duke vazhduar rrjedhës të lumit Radikë në bregun e Liqenit të Dibrës e deri tek lokaliteti turistik “Tre çezmat” në rrugën Dibër-Strugë, gjatë vikendeve – këto lokalitete turistike “pushtohen” nga vizitorë vendas. Të gjithë lokalitetet e theksuara sidomos gjatë verës mundësojnë freski për shumë qytetarë. Natyrë e bukur, ujëra, vegjetacion dhe bukuri. Por, vizitorët nuk i përgjigjen siç duhet kësaj bukurie. Ata vijnë, ndotin mjedisin jetësor dhe shkojnë. Është ky një shqetësim i madh për tre komunat e këtij rajoni dhe ambientalistët, meqë lokacionet e bukura pas vizitës të turistëve, lihen përplot me mbeturina.

Me qëllim që të pastrojnë mbeturinat e shumta që mbeten buzë Liqenit të Dibrës, lumit Radikë dhe liqenit të Mavrovës, Komuna Dibër dhe Qendër Zhupë janë detyruar të realizojnë aksione ekologjike. Këto ditë u realizuan aksione ekologjike nga dy pushtet vendore – ajo e Dibrës dhe Mavrovë-Rostusha.
Në aksionin që morën pjesë të punësuarit në pushtetin vendor, u kyçën edhe aktivistët e shoqatave ekologjike. Ata pastruan mbeturinat e shumta përgjatë bregut të Liqenit të Dibrës dhe një pjesë të lumit Radikë.

Po një aktivitet i njëjtë realizuan edhe nga të punësuarit e administratës në Komunën Mavrovë-Rostushë. Duke filluar nga Ura e Rostushës e deri tek Ura e Zhirovnicës, u pastruan mbeturinat e shumta që vizitorët e papërgjegjshëm vijnë nga qytetet tjera dhe kalojnë ditët buzë Radikës, ndërsa mbeturinat i lënë në afërsi të ujit. Në pastrimin e lumit morën pjesë edhe të punësuarit e Parkut Nacional “Mavrova”, të cilët pastruan bregun e liqenit të Mavrovës. Por, aksionet e pastrimit është se ndodhin vetëm një herë në vit, por mbeturinat largohen çdo javë. Edhe të hënën e ardhshme pritet të pastrohen të njëjtat lokacione, pasi gjatë vikendit sërish do të ketë hedhurina.

Me qëllim që sa më pak mbeturina të ngelin në hapësirat e përmendura, në Dibër shpeshherë angazhohet edhe ndërmarrja komunale “Standardi”, e cila në kontinuitet pastron deponitë e egra, por që së fundmi duhet të kujdesen edhe për pastrimin e bregut të liqenit të Dibrës. Në komunën fqinje ndërkohë, të njëjtën punë e bën ndërmarrja komunale “Mavrova”. Në Komunën Dibër dhe në Mavrovë-Rostushë apelojnë që të kihet kujdes me mbrojtjen e ambientit, ndërsa u bëjnë thirrje vizitorëve që vijnë nga qytetet tjera të grumbullojnë mbeturinat që i lënë pas pushimeve, ndërsa të njëjtat t’i hedhin në vendet adekuate për këtë qëllim.