Ka ndërruar jetë në Klinikën infektive në Strumicë, e më pas kufomën së bashku me krevatin e kanë vjedhë dhe e kanë dërguar në shtëpi. Këto nuk janë skena nga filmi “Fundjava e të vdekurve” por dramë e vërtetë e cila këtë mëngjes ka ndodhur në pjesën lindore të vendit.
“Pas vdekjes së pacientit nuk janë respektuar protokollet si është marrë kufoma. Erdhi një grup i madh i miqve dhe kushërirëve dhe me forcë e morën kufomën nga ambulanta”, theksoi Naqe Gogov – Drejtor i Spitalit.
Trupin e pajetë së bashku me krevatin përmes gardhit e kanë nxjerr në oborr, ku i ka pritur një automjet, e më pas janë drejtuar drejt shtëpisë së të ndjerit. Nga spitali i Strumicë thonë se me këtë nuk janë respektuar protokollet, ndërsa tani ata nuk kanë as mundësi që kufomën ta kthejnë prapa.
Gjatë ditës, para spitalit e kanë kthyer krevatin por jo edhe kufomën. Burri 49 vjeçar ishte sjellë në orët e hershme të mëngjesit me komplikime në frymëmarrje.
“Rreth orës 9 është sjellë një pacient në Repartin infektiv për shkak të komplikimeve në frymëmarrje, tension të lart të gjakut, lodhje dhe lëvizje të vështirësuar. Pasi e kanë sjellë, menjëherë është pranuar për kontrolle dhe për t’i ofruar ndihmë dhe terapi. Pacienti ishte me sëmundje kronike, me komplikime në frymëmarrje, me mushkëritë, me tension të lart të gjakut dhe diabet”, u shpreh Naqe Gogov – Drejtor i Spitalit.
Katër ditë para se ta sjellin pacientin në repartin infektiv ai mjekohej te mjeku i tij amë. Nga reparti infektiv paralajmërojnë procedurë për këtë rast për shkak të, siç thonë, hyrjes së dhunshme dhe marrjes së kufomës pa i respektuar protokollet. Edhe pse ka pasur simptoma të virusit korona, nuk i janë marrë strisho dhe i gjithë aksioni ka zgjatur më pak se 20 minuta.