(VIDEO) Ukraina kryen sulmin më të madh deri tani ndaj Moskës

Forcat ruse të mbrojtjes ajrore mbrëmë shkatërruan 45 drone ukrainase, nga të cilat 11 mbi rajonin e Moskës, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Sipas njoftimeve, 23 prej tyre janë rrëzuar mbi rajonin Bryansk, gjashtë janë shkatërruar mbi rajonin Belgorod, tre mbi rajonin Kaluga dhe dy mbi rajonin Kursk, raporton RIA Novosti.

Kryetari i Moskës, Sergey Sobyanin, njoftoi se kjo është një nga përpjekjet më të mëdha për të sulmuar kryeqytetin e Rusisë me drone deri tani.

„Sistemet e mbrojtjes ajrore vazhdojnë të ndalojnë sulmet e avionëve armiqësorë. Disa prej tyre u shkatërruan mbi Podolsk. Kjo është një nga përpjekjet më të mëdha për të sulmuar Moskën me drone. Ne vazhdojmë të ndjekim situatën,“ shkroi kryetari Sobyanin në Telegram.

„Sipas informacionit të parë, nuk ka të lënduar dhe nuk janë vërejtur dëme,“ shtoi Sobyanin.

Në muajt e fundit, Ukraina vazhdimisht ka dërguar një ose dy drone drejt Moskës, çdo herë pa dëme të konsiderueshme.

Megjithatë, duket se ky sulm i fundit është më i madh se ai i majit të vitit të kaluar, kur mbi kryeqytetin u shkatërruan të paktën tetë drone, duke e nxitur presidentin rus Vladimir Putin të thoshte se Kiev po përpiqej të provokonte dhe të frikësonte Rusinë.

Gubernatori i rajonit të Bryansk në Rusi, Aleksandar Bogomaz, njoftoi mëngjesin e sotëm se në një orë mbi atë rajon u rrëzuan shtatë drone.