(VIDEO) Natë e tensionuar në Beograd: Krerët e opozitës nisën grevë urie në Komisionin Zgjedhor të Serbisë

Në Beograd mbrëmë është mbajtur një protestë nga koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës”, i cili kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe zgjedhjeve parlamentare për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve. Bartësit e kësaj liste në zgjedhjet republikane, Marinika Tepiq dhe Miroslav Aleksiq, kanë hyrë në selinë e Komisionit të Zgjedhjeve ku kanë filluar grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Mijëra persona kanë qëndruar gjatë gjithë natës para Komisionit të Zgjedhjeve.

Marinika Tepiq nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”, e cila së bashku me Miroslav Aleksiqin filluan një grevë urie në godinën e Komisioni të Zgjedhjeve në një intervistë për TV N1 thotë se vendosi për këtë masë më radikale sepse “është momenti i fundit për të luftuar vullnetin elektoral për qytetarët e Beogradit”.