(VIDEO) Lidhja Evropiane kërkon që institucionet ta heqin kryqin në Kodrën e Diellit

Me vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit, krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të krijojë incidente dhe të krijoj konflikt të ri mes qytetarëve. Kështu tha Bilall Kasami, nga koalicioni Lidhja Europiane për Ndryshim, duke kërkuar që të hiqet kryqi.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa

“I bëjmë thirrje Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Fetare, Kishës Ortodokse Maqedonase, Arqipeshkvisë së Ohrit, gjegjësisht Mitropolisë së Tetovës, që konform kompetencave të tyre të marrin masa e ta heqin vetë këtë kryq, e mos lejojnë që feja të shdërrohet në vegël për të krijuar tensione mes qytetarëve tanë. Njëkohësisht bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, si organ me kompetenca të drejtëpërdrejta në këtë çështje, që të veprojë sa më shpejtë në përputhje me detyrat e saj”.

Përvoja të këtilla, shtoi ai kemi parë edhe në të kaluarën.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa

“Duke pasur një përvojë të tillë, ne e kemi parë këtë skenar në të kaluarën, si një parti maqedonase luan luanin, një parti shqiptare luan shqiponjën para zgjedhjeve dhe kur hyjnë në zgjedhje kthehen në një kotele dhe një harabel, prnadaj ju bëjmë thirrje për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë, i bëjmë thirrje Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, që të mos lejojnë të bëhen viktima të politikave nacionaliste”.

Ky institucion thotë Kasami, është nën udhëheqjen e BDI-së dhe nëse nuk veprojnë do t’i konsiderojnë partner të heshtur me partitë maqedonase, më parë me VMRO-DPMNE-në, tash me LSDM-në. Kështu ata i bënë thirrje BDI-së dhe të gjithë partnerëve të tyre maqedonas, që të ndalojnë me keqpërdorimin e simboleve fetare për të përfituar pikë politike ditore dhe të dalin urgjentisht në opinion dhe të kërkojnë nga autoritetet e Kishës Ortodokse që të tërheqin kryqin.